Secondary Adv

Ligji ne Kushtetuese, profesionistet e lire kunder tatimit: Ka fuqi prapavepruese

Rreth 29 mijë profesionistë të lirë janë njohur me këstet e tatimit mbi fitimin që duhet të paguajnë, për fitimet e deklaruara për vitin 2023.

 

Por shumica prej tyre, thonë se kjo faturë nuk është ligjore, pasi është e bazuar në fitimin e vjetshëm ndërsa ligji hyri në fuqi 1 janarin e këtij viti, ndërkohë që thonë se këtë vit ata nuk e kanë të garantuar aktivitetin.

 

Oriola Kajo, specialiste IT: "Nuk është e garantuar që unë atë fitim do ta kryej brenda vitit 2024, pasi unë jam tatuar me një normë bazuar në vitin 2023.

 

Punoj me kontrata të huaja që mund të jetë 1 mujore, 3 mujore apo 6 mujore, kur ajo kontratë përfundon mund të mos kem të ardhura për 6 muaj. A është kushtetuese, të tatohesh mbi një fitim që nuk e ke kryer akoma"

 

Erion Saraçi Ekspert Kontabël: "Ne kemi pasiguri në tregun tonë kur japim produktin, nuk e kemi të sigurt klientin dhe nuk mund të krahasohemi me të punësuarin që e ka të garantuar rrogën muajin tjetër'"

 

Vasilika Hysi, Avokat: "Udhëzimet e dala në zbatim të ligjit kanë fuqi prapavepruese dhe sjellin dëme në ekonominë e këtyre bizneseve dhe familjeve"

 

Ligji për tatimin mbi të ardhurat që bëri pjesë të taksimit me fasha të gjithë profesionistët që ofrojnë shërbime profesionale, është tashmë në dorë të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka kaluar në seancë publike kërkesën e opozitës për shfuqizimin e disa neneve, seancë e cila zhvillohet më 21 maj.

 

Teksa presin vendimmarrjen e Gjykatës avokatët shprehen të sigurt për antikushtetuetshmërinë e ligjit. Margarita Kola Avokate: Ai ka qenë një vetëdeklarim që unë e kam bërë me vullnetin tim, sepse nuk kisha asnjë detyrim.

 

Prezumimi është komplet anti-kushtetues. Nuk mund të fillosh me një diçka e cila nuk është e saktë, dhe nuk ke dijeni nëse është e saktë, dhe mbi të të ndërtosh të gjitha deklaratat e mija që vijnë më pas.

 

Julian Saraçi Auditues Ligjor: "Të krahasosh një që është i punësuar që ka një përgjegjësi juridike, që rregullohet nga Kodi i Punës, me një të vetëpunësuar që ka një përgjegjësi totalisht të ndryshme të pakufizuar me pasurinë e tij personale, kjo do të thotë të krahasosh diçka të pakrahasueshme"

 

Rreth 11 mijë biznese tha Jorida Tabaku janë mbyllur prej këtyre fashave të larta tatimore, ndërsa eksperti Artur Papajani tregoi se si është abuzuar me fashat 15-23%.

 

"Një pjesë e madhe e njoftimeve që kanë ardhur kanë norma të taksave më shumë se ajo që parashikon ligji. Shumë biznese më kanë njoftuar që kanë shkuar taksat, norma e taksës 30-40% për disa kategori biznesesh.

 

Shumë në fusha e teknologjisë së informacionit më kanë kontaktuar dhe më kanë thënë që një pjesë e tyre janë detyruar të mbyllur bizneset dhe të shohin mënyra të tjera se si mund të operojnë në treg duke marrë parasysh këtë normë të lartë takse", tha Tabaku.

 

"Një taksë zero të imponon çedukimin e taksapaguesve. Taksa në 2014 ka qenë 7.5%, pastaj në 2016 u bë 5%, dhe më pas në vitin 2021 u bë 0% dhe direkt tani në 15% dhe 23%", u shpreh Artur Papajani Ekspert Kontabël:

 

Efekti i kësaj takse thonë kontabilistët e avokatët është bumerang, me ndikim negativ në konsum e nga ana tjetër do të shtojë informalitetin.

 

Jurild Hoxha Kontabilist: "Të gjitha këto këste me atë shkallë tatimore, do të mbahen nga konsumi, pasi do ketë më pak kujdes shëndetësor, nuk do dalin në një drekë, s’do bëjnë një udhëtim".

 

Mirela Jorgo Avokate: "Pjesa dërrmuese e këtyre bizneseve do të kalojën në evazion, do bëjnë deklarime të rreme. Ky biznese po shtyhet për tu shkatërruar ose do të emigrojnë".

 

Më 1 janar të këtij viti ka hyrë në fuqi ligji për tatimin mbi të ardhurat, i cili parashikon që 169 profesione të lira që ofrojnë shërbime profesionale, do të tatohen me 15% për fitimin e tyre deri në 14 milionë lekë, dhe kush ka fitim mbi 14 milionë lekë tatohet me 23%.

 

Ligji është dërguar në kushtetuese edhe nga disa grupe të tjera interesi./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat